Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Myftiu i Korçës, H. Ledian Cikalleshi, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë të qarkut, duke theksuar rëndësinë e mirënjohjes ndaj Zotit dhe solidaritetit me ata që kanë nevojë.
“T’ju sjellë kjo festë paqe, lumturi dhe begati në familjet tuaja”, – u shpreh Myftiu në mesazhin e tij.
Ai kujtoi simbolikën e sakrificës së profetit Ibrahim (a.s.) dhe të birit të tij Ismail (a.s.), si një shembull i devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit, por edhe i marrëdhënies së drejtë prind-fëmijë. “Të bëhemi falënderues për të gjitha mirësitë që kemi dhe të tregohemi bujarë,” – theksoi Cikalleshi.
Çfarë është Kurbani?
Myftiu bëri edhe një sqarim për kurbanin, si akt i rëndësishëm adhurimi:
“Për kurban mund të theret një dele, dhi apo lopë, duke respektuar kushtet fetare. Pula, këndezët dhe kafshë të tjera nuk konsiderohen kurban.”
Ai ftoi të gjithë ata që kanë mundësi ekonomike të bëjnë kurban si shenjë mirënjohjeje, duke ushqyer familjen dhe duke shpërndarë edhe për të tjerët.
Arafati dhe agjërimi
Në mesazhin e tij, Myftiu përmendi gjithashtu rëndësinë e ditës së Arafatit, e cila përkon me ditën e sotme.
“Agjërimi në këtë ditë sjell shpërblime të mëdha. Profeti na ka lajmëruar se falen gjynahet e një viti para dhe pas,” – tha ai.
Programi i faljes në Korçë
Namazi i Kurban Bajramit do të falet nesër, më 6 qershor 2025, në orën 06:45. Në qytetin e Korçës, ceremonia do të zhvillohet në ambientin para xhamisë së vjetër “Iljas Bej Mirahori”. Në zonat e tjera, falja do të bëhet në xhamitë përkatëse.
Programi nis në orën 06:15 me ligjërata, ndërsa falja kulmon në 06:45.
Të mirëpritur janë të gjithë – burra, gra, fëmijë e të moshuar – për të festuar këtë ditë të bekuar së bashku.
Pritja në Myftini
Pas faljes, ceremonia e pritjes dhe urimeve do të zhvillohet në ambientet e Myftinisë së Korçës nga ora 10:00 – 12:00.
“I lutem Zotit të Madhëruar që kjo festë të sjellë më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri në çdo shtëpi,” – përfundoi mesazhin e tij Myftiu.
Mesazhi i plotë i Myftinisë së Korçës;
MESAZHI I MYFTIUT TË KORÇËS H. LEDIAN CIKALLESHI
ME RASTIN E FESTËS SË KURBAN BAJRAMIT 2025 / 1446
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar besimtarë myslimanë të Qarkut të Korçës, motra dhe vëllezër!
Më lejoni që në këte prag feste të Kurban Bajramit t’ju përcjell urimet më të përzemërta, paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë kjo feste në familjet tuaja.
Kurban Bajrami eshte nje nga dy festat e medha qe bashkon zemrat e myslimaneve ne mbare boten. Ajo na sjell ndermend sakrificen e Ibrahimit a.s. dhe nenshtrimin e Ismailit a.s. ndaj Zotit të botëve si dhe raportin e duhur prind-fëmijë. Të bëhemi falenderues për të gjitha mirësitë dhe begatitë qe i kemi dhuratë nga Zoti ynë dhe të tregohemi bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë.
Motra dhe vëllezër!
Simbolika e kesaj dite eshte kurbani. Per kurban mund te behet delja, dhia ose lopa, duke ju permbajtur kushteve te kurbanit. Ndersa kafshet e tjera si pula, kendezi etj. nuk hyjne ne kategorine e kurbanit. Kush i ka mundesite ekonomike le te beje kurban nje shqerre si shenje mirenjohje ndaj Zotit, te ushqeheje familjen e tij dhe tu shperndaje edhe te tjereve, ashtu si eshte edhe porosia e Profetit Muhamed (s.a.v).
Të nderuar besimtare dhe besimtarë!
Sot, eshte dita e Arafatit kur haxhijte ne Mekke mblidhen ne zonen e Arafatit per tu lutur. Besimtaret e tjere mund te agjerojne kete dite dhe Profeti a.s. na lajmeron se shpeblimi i agjerimit te kesaj dite eshte se falen gjynahet e nje viti me pare dhe vitit te ardhshem. Kush e ka kaluar agjerueshem kete dite, lus Allahun tja pranoje dhe tia mundesoje shperblimin!
Ndersa festa e Kurban Bajramit eshte neser, diten e premte, dt. 6 qërshor 2025. Ceremonia e faljes se Namazit te Kurban Bajramit për qytetin e Korces do të zhvillohet para oborrit të xhamisë së vjetër “Iljas Bej Mirahori”, ndërsa në zonat e tjera në xhamitë përkatëse. Namazi i bajramit per te gjitha xhamite do te falet në orën 06.45.
Janë të mirëpritur të gjithë besimtarët, burra dhe gra, fëmije e të moshuar, të marin pjesë në ceremoninë e faljes së Bajramit, e cila fillon në orën 06.15 me ligjerata dhe kulmon me faljen e namazit të bajramit në orën 06.45.
I lutem Zotit të Madhëruar që kjo festë të sjellë në shtëpitë tuaja, më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit.
Gëzuar dhe Përshumevjet Kurban Bajramin!
(Ceremonia e pritjes dhe urimeve do të zhvillohet në ambjentet e Myftinisë Korçë mes orës 10.00 – 12.00.)
Korçë, më 05.06.2025


