Në kuadër të lëndës së historisë, nxënësit e klasës së VII të shkollës 9-vjeçare “Konferenca e Pezës” ndërmorën një projekt edukativ që lidhet me periudhën e Rilindjes Kombëtare, një epokë e lavdishme që shënoi zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe luftën për gjuhën shqipe, arsimin dhe identitetin tonë kombëtar.
Në qendër të projektit ishte ndërtimi i një maketi përfaqësues të Shkollës së Parë Shqipe, e hapur më 7 mars 1887 në Korçë, simbol i dijes dhe i përpjekjeve të rilindësve për një shkollë shqipe në gjuhën e nënës. Nxënësit punuan me përkushtim, duke e realizuar maketin me kujdes të veçantë për detajet dhe me respekt për vlerat historike që kjo shkollë përfaqëson.

“Ky projekt na ndihmoi të kuptojmë më mirë sa e rëndësishme ka qenë hapja e shkollës së parë shqipe për historinë tonë dhe na bëri të ndihemi krenarë,” – shprehen disa nga nxënësit pjesëmarrës.
“Ishte një mënyrë e bukur për të ndërthurur mësimin me krijimtarinë dhe për të nxitur ndjenjën e përkatësisë dhe dashurisë për atdheun,” – u shpreh mësuesja e historisë që udhëhoqi projektin.

Në përmbyllje të punës së tyre, nxënësit zhvilluan një vizitë në Muzeun e Arsimit në Korçë, ku patën mundësinë të njihen nga afër me historinë e arsimit shqip. Si një gjest simbolik mirënjohjeje për këtë trashëgimi, ata i dhuruan maketin muzeut, duke lënë gjurmën e tyre të vogël në ruajtjen e kujtesës historike.


