Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Patriarkanën Ekumenike në Kostandinopojë, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, zhvilloi dy takime të rëndësishme shpirtërore dhe vëllazërore me komunitetet orthodhokse të Bosforit: Megalo Reuma (Arnavutköy) dhe Neohori (Yeniköy).
Më 15 qershor, në orët e pasdites, Kryepiskopi Joan vizitoi Kishën e Shenjtë të Taksiarkëve të Mëdhenj në Megalo Reuma, një zonë me lidhje historike me shqiptarët e Epirit të vendosur atje që nga periudha osmane. Ai u prit me nderime nga Mitropoliti i Kydonieve, z. Athinagora, dhe shërbeu së bashku me Mitropolitin e Dherkonit, z. Apostolos, si dhe klerikë të tjerë të lartë të Patriarkanës.
Pas shërbesës, në orën 20:30, Komuniteti i Megalo Reuma shtroi një darkë zyrtare për nder të Kryepiskopit Joan, ku mori pjesë edhe Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik, z. Vartholome.
Të hënën, më 16 qershor, vizita vijoi në Neohori, ku në orët e mëngjesit, komuniteti lokal e mirëpriti Kryepiskopin me një mëngjes vëllazëror në ambientet e restorantit “464 Yeniköy”, gjithashtu në prani të Patriarkut Vartholome.
Këto vizita nuk ishin thjesht simbolike: ato mishërojnë thellësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe Patriarkanës së Kostandinopojës, duke forcuar ndjenjën e bashkësisë shpirtërore dhe traditën shekullore të unitetit orthodhoks.


