Kapitenia legjendare dhe një nga figurat më të rëndësishme të ekipit të volejbollit të vajzave të Skënderbeut, Elena Bego, ka zyrtarizuar largimin nga klubi korçar pas shumë viteve kontribut të jashtëzakonshëm. Lajmin e ka bërë të ditur vetë sportistja përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, ku ndau falënderimet dhe ndjenjat e saj për një etapë që e konsideron të paharrueshme.
“Janë të vështira për t’u përshkruar me fjalë emocionet që më shoqërojnë ndërsa largohem nga Skënderbeu, pas një rrugëtimi të gjatë e të bukur. Momente të vështira nuk munguan, por kurrë nuk e lashë klubin në baltë,” shkruan Bego mes të tjerash.
Elena Bego ka qenë jo vetëm lidere në fushë, por edhe simbol i përkushtimit dhe besnikërisë ndaj klubit, duke udhëhequr skuadrën drejt rikthimit të lavdisë në arenën kombëtare. Gjatë karrierës së saj me fanellën kuq e bardhë, ajo ka kontribuar në fitimin e 10 trofeve dhe shumë medaljeve të tjera, duke e shndërruar Skënderbeun në një forcë të padiskutueshme në volejbollin shqiptar të femrave.
Në mesazhin e saj, Bego ka falënderuar drejtuesit e klubit, trajnerët, bashkëlojtarët, punonjësit e pallatit të sportit dhe tifozët, të cilët i konsideron pjesë të rëndësishme të këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm.
“Çdo moment me ngjyrat kuq e bardhë ka pasur emocione të papërshkrueshme. Skënderbeu do të mbetet gjithmonë pjesë e zemrës dhe jetës sime,” përmbyll ajo, duke dhënë kështu fund një epoke të artë nën simbolin e Skënderbeut.


