Maturantët e qarkut Korçë kanë përfunduar sot provimin e katërt dhe të fundit të maturës shtetërore 2025, atë të lëndëve me zgjedhje. Provimi u zhvillua në orën 10:00 dhe përfundoi në 12:30, me pjesëmarrjen e rreth 1838 maturantëve nga i gjithë qarku.
Sipas vetë nxënësve, testi i sotëm ishte në një nivel mbi mesatar, ndërsa lënda më e vështirë e përmendur ishte ajo e psikologjisë. Megjithëse provimet kanë përfunduar, shumë prej maturantëve shprehen se janë ende të pavendosur për degën që do të ndjekin në arsimin e lartë.
Përfundimi i këtij cikli shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin arsimor të tyre, ndërsa pritet që faza e aplikimeve në universitet të sjellë zgjedhje vendimtare për të ardhmen e tyre akademike.


