Edicioni i 21-të i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës Albamono ka nisur në Pallatin e Kulturës “Dhimitër Orgocka” në Maliq, me shfaqjen e njohur “Medea”, një vepër klasike e antikitetit që është vlerësuar me çmime të para në Festivalin e Korinthit dhe në Festivalin e Teatrit në Berat, ku ka triumfuar në të gjitha kategoritë.
Gjatë një jave, publiku vendas dhe i huaj do të ketë mundësinë të ndjekë tetë shfaqje nga trupa teatrore shqiptare dhe ndërkombëtare, me tema aktuale dhe historike. Artistë nga SHBA, Ukraina, Greqia, Kroacia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Maqedonia e Veriut, Polonia dhe Shqipëria janë pjesë e këtij eventi kulturor, që do të zhvillohet në Maliq dhe Pogradec.
I themeluar nga mjeshtri i skenës Dhimitër Orgocka, festivali Albamono do të përmbyllet më 30 qershor, me ndarjen e çmimeve për regjisorin më të mirë, aktorin më të mirë dhe monodramën më të mirë. Aktorët pjesëmarrës kanë shprehur entuziazmin për të qenë pjesë e këtij aktiviteti të veçantë që promovon artin skenik dhe bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar.


