Në letër, repartit ofensiv të Skënderbeut nuk i mungon asgjë. Trajneri Ernest Gjoka ka në dispozicion të njëjtët tre sulmues kryesorë nga sezoni i kaluar – lojtarë që jo vetëm njohin mirë ambientin, por edhe janë të përshtatur me filozofinë e skuadrës dhe kërkesat e stafit.
Përveç tyre, ofensiva është përforcuar me rikthimin e Baba Mustës, një emër i njohur për tifozët korçarë. Ai sjell eksperiencë, cilësi dhe alternativa shtesë në repartin sulmues, duke e bërë këtë repart më të plotë se kurrë.
Në këtë fazë përgatitore, sulmi duket i formësuar: katër lojtarë me përvojë dhe stile të ndryshme loje, që i japin trajnerit liri për të eksperimentuar me skema të ndryshme taktike.
Por, pavarësisht këtij stabiliteti në dukje, merkatoja mbetet një faktor i rëndësishëm. Disa nga sulmuesit aktualë mund të përfshihen në tratativa për largim, çka do ta detyronte klubin të ndërhynte menjëherë për të plotësuar boshllëkun e krijuar.
Për këtë arsye, drejtuesit e Skënderbeut janë në gatishmëri dhe po ndjekin nga afër disa emra potencialë që mund të afrohen në çdo moment, nëse situata e kërkon.
Nëse grupi aktual qëndron, Skënderbeu e nis sezonin me një ofensivë të konsoliduar. Por nëse hapet një derë për ndonjë largim, është gati të hapet një tjetër për një përforcim të ri.


