Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, ka zhvilluar një takim me profesor Adrian Anastasin dhe arkeologun zvicerian Albert Hafner, dy ekspertët që drejtojnë ekspeditën arkeologjike në vendbanimin palafit të Linit, një nga zbulimet më të rëndësishme të dekadave të fundit.
Ky vendbanim i lashtë, tashmë i konfirmuar edhe nga Universiteti i Bernës si vendbanimi më i hershëm në Europë, daton mbi 8 mijë vjet më parë, duke hedhur dritë mbi historinë dhe civilizimin në brigjet e Liqenit të Ohrit.
Gjatë takimit u diskutua mbi progresin e gërmimeve, gjetjet e fundit si dhe planet për të kthyer sitin arkeologjik në një qendër të rëndësishme turistike dhe shkencore.
Së shpejti pritet të ngrihet edhe një qendër informacioni pranë sitit, e cila do t’u ofrojë vizitorëve vendas dhe të huaj të dhëna të detajuara dhe eksperienca edukative mbi këtë trashëgimi unike kulturore dhe historike.
Ky projekt pritet të japë një impuls të ri zhvillimit të turizmit arkeologjik dhe të forcojë identitetin kulturor të zonës së Pogradecit.


