Një konflikt i ndodhur mbrëmjen e kaluar në një nga bulevardet qendrore të qytetit të Korçës ka përfunduar në mënyrë të dhunshme, duke lënë një person të plagosur rëndë.
Burime policore bëjnë me dije se fillimisht ka pasur një debat verbal mes dy individëve, por situata ka degjeneruar në dhunë fizike. Njëri prej tyre ka goditur me grushte në fytyrë kundërshtarin, duke i shkaktuar dëmtime serioze.
Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i sherrit, por është lokalizuar dhe ndaluar brenda pak minutash nga forcat e Policisë së Korçës. Ai është marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat dhe motivet që çuan në konfliktin e dhunshëm.
Personi i plagosur është transportuar fillimisht në spitalin rajonal të Korçës, por për shkak të dëmtimeve të rënda është transferuar drejt një spitali në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Ndaj të dyshuarit ka nisur procedimi penal dhe materialet i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme. Policia po vijon punën për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes.


