Situata e vatrës së zjarrit në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës, në territorin e bashkisë Kolonjë dhe pranë kufirit me Greqinë, është mbajtur gjatë gjithë ditës së sotme nën kontroll e monitorim. Forcat zjarrfikëse të MZSH Kolonjë, punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe vullnetarë të zonës, të mbështetur nga efektivë ushtarakë të xhenjos, kanë punuar për të frenuar përhapjen e flakëve drejt kurorës së pyllit të mbrojtur.
Ushtarakët kanë ndërhyrë gjithashtu për demontimin e municioneve të hasura në zonë, ndërsa shërbimi i bashkisë ka përdorur skrep për hapjen e rrugëve pyjore, me qëllim që mjetet zjarrfikëse të afrohen sa më pranë sipërfaqes së prekur. Terreni i vështirë, i cili kërkon rreth dy orë ecje, ka vështirësuar ndërhyrjen.
Shtabi vendor i emergjencave civile po planifikon që operacioni të vijojë që në orët e para të mëngjesit të nesërm, duke koordinuar veprimet edhe me strukturat e palës greke. Autoritetet kanë shprehur falënderim për punën e palodhur të të gjitha forcave të angazhuara.


