Në zonën kufitare pranë Parkut Natyror të Gërmenjës janë regjistruar riaktivizime të vatrave të zjarrit. Për shkak të drejtimit të erës, flakët kanë patur tendencë të përhapen drejt Rezervatit Gërmenj–Shelegur dhe pranë piramidës 14 në territorin shqiptar, por deri tani nuk kanë prekur bërthamën e zonës së mbrojtur.
Sipas të dhënave më të fundit, pikat e reja të zjarrit janë ndezur brenda 6 orëve të fundit. Situata mbetet e rrezikshme pasi herë pas here dëgjohen shpërthime municionesh, çka e vështirëson ndërhyrjen e drejtpërdrejtë. Aktualisht, po punohet për krijimin e disa kordonëve mbrojtës, në kushtet kur forcat nuk mund të afrohen në sipërfaqen e prekur.
Në vendngjarje ndodhen rreth 35 efektivë të shërbimit pyjor, zjarrfikës, emergjencave civile, si dhe të forcave të policisë e ushtrisë, të cilët vijojnë punën për izolimin e flakëve.


