Arti dhe kinematografia shqiptare kanë humbur sot një nga figurat e tyre më të mëdha. Regjisori i shquar, “Nderi i Kombit” Dhimitër Anagnosti, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Lajmin e hidhur e bëri publik vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi:
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”
I lindur më 23 janar 1936 në Vuno të Himarës, Dhimitër Anagnosti studioi në Institutin e Kinematografisë VGIK në Moskë (1954–1960), ku u diplomua për kino-operator. Pas kthimit në Shqipëri, u bë një nga themeluesit e kinemasë shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme me filmat e tij artistikë dhe dokumentarë.
Në karrierën e tij mbi 40-vjeçare, ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke fituar çmime të shumta kombëtare e ndërkombëtare. Anagnosti ishte autor i 15 skenarëve dhe në shumicën e filmave kishte firmën e tij si skenarist. Me kurajën qytetare dhe mendimin e lirë, ai shpesh sfidoi realitetin e kohës, duke mbetur një zë i veçantë në art dhe shoqëri.
Në vitin 2011 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, si një prej regjisorëve më të shquar të historisë së kinemasë shqiptare.
Ndër veprat e tij më të njohura janë filmat: “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, ky i fundit i vlerësuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Me ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnostit, arti shqiptar humb një mjeshtër të madh, por trashëgimia e tij mbetet një pasuri e çmuar për brezat që vijnë.


