Në Korçë është çelur mbrëmë edicioni i 12-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë “KoKo Fest”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend. Në skenën e Teatrit “Andon Z. Çajupi”, festivali u hap me komedinë britanike “Një martesë, një divorc, një funeral”, ku interpretuan aktoret e njohura Zamira Kita, Olta Daku, Egla Ceno dhe Paola Kodra, nën regjinë e Rovena Lules.
Për shtatë net radhazi, publiku korçar dhe artdashës nga e gjithë Shqipëria do të kenë mundësinë të ndjekin shfaqje të trupave teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Italia, duke sjellë në skenë komeditë më të bukura të repertorit bashkëkohor.
Performancat do të vlerësohen nga një juri prestigjioze e përbërë nga emra të njohur të artit si Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Vasjan Lami, Rita Gjeka, regjisori francez Eric Vigner, si dhe Franc Bregu në rolin e jurisë së të rinjve, i cili do të japë çmimin “Fresh KoKo”. Festivali synon jo vetëm të ofrojë art e argëtim, por edhe të shërbejë si një urë bashkimi mes artistëve, publikut dhe brezave që e duan teatrin.


