Shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve Korçë sh.a po realizon një investim të rëndësishëm prej mbi 58 milionë lekësh për ndërtimin e ujësjellësit të ri në fshatin Zvezdë të Bashkisë Maliq. Ky projekt pritet të sigurojë furnizim me ujë të pijshëm 24 orë për rreth 130 banorë, të cilët për më shumë se 30 vjet kanë përjetuar mungesa të vazhdueshme dhe janë detyruar të kryejnë investime private për të plotësuar nevojat e tyre.
Punimet përfshijnë shpimin e pusit, ndërtimin e depos me kapacitet 150 m³ dhe shtrirjen e tubacioneve të brendshme që do të lidhin pusin me depozitat dhe banesat e fshatit. Aktualisht po kryhen gropimet për ndërtimin e depos dhe po shtrihen linjat përkatëse të tubacionit. Afati i parashikuar për përfundimin e investimit është 8 muaj, duke ofruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe të sigurt për furnizimin me ujë të pijshëm të komunitetit.


