Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka referuar materialet në Prokurori për disa raste të ndryshme gjatë ditëve të fundit. Në Pogradec, A. B., 58 vjeç, u procedua penalisht pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ndërsa A. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Stropskë, po hetohet për transport të paligjshëm të 8 m³ lëndë drusore, që u sekuestrua si provë materiale.
Në Maliq, A. P., 53 vjeç, banues në fshatin Vreshtas, u procedua pas një aksidenti gjatë pastrimit të armës së gjahut me leje, ku nga pakujdesia ndodhi një shkrepje, ndërsa K. A., 40 vjeç, banues në fshatin Orman, dyshohet se ka kanosur me fjalë një 60-vjeçare. Po ashtu, në fshatin Tërovë, P. B., 78 vjeç, u përfshi nga zjarri në magazinën e tij, që dyshohet se u shkaktua aksidentalisht nga nipi i mitur, ndërsa në fshatin Podgorije, automjeti i B. Ç., 46 vjeç, u përfshi pjesërisht nga flakët. Materialet janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.


