Një tjetër rast i rëndë është shënuar në qytetin e Korçës, ku një i moshuar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, në lagjen nr. 10. Viktima është identifikuar si shtetasi N. K., rreth 70 vjeç, i cili jetonte i vetëm.
Sipas burimeve policore, nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa dyshohet se i moshuari ka ndërruar jetë disa ditë më parë, pa pasur askënd pranë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes, si dhe dokumentimin e plotë të rrethanave.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh në Korçë, pas ngjarjes së rëndë të regjistruar pak kohë më parë, kur një tjetër i moshuar u gjet i pajetë në banesën e tij, me dyshimet se kishte humbur jetën prej disa muajsh pa u vënë re nga askush.
Dy ngjarjet e njëpasnjëshme nxjerrin sërish në pah problemin social të vetmisë së të moshuarve, që shpesh mbeten pa kujdes dhe ndihmë, duke e përfunduar jetën në kushte tragjike.


