Shqipëria ka arritur një fitore minimale 1-0 në miqësoren ndaj Gjibraltarit, falë një penalltie të shënuar nga Jasir Asani në pjesën e dytë.
Trajneri Silvinjo hodhi në fushë një formacion eksperimental, duke lënë pushim titullarët kryesorë dhe duke bërë ndryshime nga porta deri në sulm. Pjesa e parë foli për vendasit, ndërsa kuqezinjtë u shfaqën të vakët, me Berishën që pati rastin më të mirë, kur goditja e tij u ndal në traversë.
Pas pushimit, ritmi ndryshoi me hyrjen në lojë të Hoxhës dhe Shpendit, të cilët sollën më shumë gjallëri në repartin e avancuar. Pikërisht Shpendi fitoi penalltinë që më pas u ekzekutua me saktësi nga Asani, duke vulosur rezultatin final.
Kuqezinjtë e administruan pa shumë probleme avantazhin deri në fund, duke mbyllur kështu testin me sukses, edhe pse me një lojë jo bindëse.


