Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë është tashmë i hapur për automjetet, duke krijuar një lidhje kyçe për zonën juglindore të vendit. Ky projekt pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe agroturizmit, si dhe të lehtësojë qarkullimin për qytetarët dhe transportin lokal.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Rama e cilësoi rrugën si “një projekt të vështirë dhe të vonuar ndër vite, i cili tashmë është përfunduar me sukses”, duke shtuar se “Ky projekt u bë legjendë si rezultat i një nisjeje për së prapthi mes rrugëve të lëna rrugëve, jo vetëm do të lehtësojë qarkullimin drejt juglindjes, po dhe krijojë mundësi zhvillimi për të gjithë zonën, duke nxitur më tej bujqësinë, turizmin e agroturizmin. Është projekti më i gjatë më i stërmundueshëm, pasi u nis mbrapsht”.
Ministrja Balluku theksoi rëndësinë infrastrukturore të këtij projekti: “Ky aks ka një gjatësi prej 43 kilometrash, me dy tunele dhe katër ura, dy prej të cilave ura të varura metalike. Është një degëzim i rëndësishëm i korridorit 8 dhe lehtëson ndjeshëm trafikun, veçanërisht për Pogradecin dhe qarkun e Korçës.” Me përfundimin e tij, rruga Qukës–Qafë Plloçë redukton ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe përmirëson qasjen e komuniteteve lokale, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe turistik.


