Në qarkun e Korçës ka nisur sot zyrtarisht viti i ri shkollor, ku janë ulur nëpër banka 19,340 nxënës të arsimit parauniversitar. Krahasuar me një vit më parë, numri i përgjithshëm i nxënësve është rreth 1600 më i ulët, megjithatë vihet re një rritje e lehtë në regjistrimet e klasave të para me 1430 fëmijë dhe në klasat e dhjeta me 1540 nxënës.
Sipas të dhënave nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë, këtë vit nuk është mbyllur asnjë shkollë dhe asnjë mësues nuk është larguar nga sistemi, ndërsa janë shtuar aktorë që mbështesin procesin mësimor, si mësues ndihmës, koordinatorë, oficerë sigurie apo mësues në dispozicion. Një tjetër risi është përfshirja e plotë e shërbimit psiko–social në të gjitha shkollat, duke krijuar mbështetje të vazhdueshme për nxënësit dhe prindërit.
Emocionet më të mëdha i përjetuan fëmijët që sot nisën klasën e parë, ndërsa për nxënësit e tjerë rikthimi në shkollë ishte moment gëzimi dhe ritakimi me shokët dhe mësuesit.


