Skuadra e Tiranës në volejboll për femra ka fituar Kupën e Federatës Shqiptare te Volejbollit, duke triumfuar në finale ndaj Pogradecit me rezultatin 1-3.
Dy setet e para u dominuan nga bardheblutë, të cilat vendosën ritmin dhe nuk e lanë kundërshtaret të shfaqnin shumë rezistencë. Në setin e tretë, liqenoret reaguan, duke zhvilluar një lojë të fortë dhe duke fituar me rivalitet të madh, çka i riktheu shpresën finales.
Megjithatë, në setin e katërt, Tirana tregoi më shumë përvojë dhe qetësi në pikët vendimtare, duke e mbyllur takimin dhe duke ngritur trofeun e radhës.
Ky sukses i shtohet vitrinës së bardhebluve, që sezonin e kaluar fituan edhe Kupën e Republikës dhe titullin kampion, duke konfirmuar statusin si skuadra më dominuese e volejbollit shqiptar. Këtë sezon Pogradeci pritet të jetë një nga skuadrat e titullit kampion.


