Korça ka hyrë zyrtarisht në garë për të fituar titullin prestigjioz “Qyteti Europian i Sportit 2026”. Ditën e sotme, në qytetin juglindor u mirëprit delegacioni i ACES Europe, organizata që akordon këtë vlerësim, i cili inspektoi nga afër infrastrukturën sportive dhe ndoqi prezantimin mbi traditën e pasur sportive dhe vizionin e ardhshëm të Korçës.
Në takim morën pjesë presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, dhe zëvendësministri i Sportit, duke treguar mbështetjen e fortë të institucioneve kombëtare për aplikimin e Korçës.
Kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, u shpreh se Korça ka një traditë të konsoliduar në sport dhe një infrastrukturë moderne që po zgjerohet me projekte madhore, si rikonstruksioni i Pallatit të Sportit dhe ndërtimi i stadiumit të ri. Ai theksoi se sporti shihet si pjesë e jetës së përditshme në qytet, duke përfshirë jo vetëm ekipet profesioniste, por edhe sportin masiv, akademitë e të rinjve dhe aktivitetet amatore.
“Aplikimi ynë është një angazhim për të forcuar më tej rolin e sportit në edukim, shëndet dhe socializim. Jam i bindur se Korça e meriton këtë vlerësim dhe besoj se viti 2026 do ta gjejë qytetin tonë si ‘Qyteti Europian i Sportit’”, u shpreh Filo.