Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka intensifikuar kontrollet në rrugët urbane dhe interurbane të qarkut, me synim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Gjatë periudhës 1 deri më 9 shtator 2025, Policia Rrugore ka vënë në pranga 8 shtetas, të cilët u kapën duke drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit ose pa leje drejtimi. Po ashtu, janë vendosur 694 masa administrative, për shkelje të tilla si tejkalimi i shpejtësisë, parakalimet e gabuara, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe mosvendosja e rripit të sigurimit.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar segmentit rrugor “Qukës-Qafë Plloçë”, ku shërbimet policore kryejnë monitorime të vazhdueshme me kamera, radarë dhe dronë, për evidentimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit.
Autoritetet policore theksojnë se drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, shpejtësia tej normave dhe parakalimet e rrezikshme mbeten ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.
Policia e Korçës apelon për kujdes dhe përgjegjësi nga të gjithë drejtuesit e automjeteve, duke paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë çdo ditë, në të gjitha akset e qarkut. Çdo rast shkeljeje mund të denoncohet në numrin 112.


