Drejtoria Vendore e Policisë Korçë njofton se vijojnë goditjet ndaj paligjshmërisë në qark, ku gjatë 24 orëve të fundit janë kryer disa ndalime dhe procedime penale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë ndaluar shtetasin N. N., 43 vjeç, banues në Korçë, i dënuar nga Gjykata e Korçës me 6 muaj burgim, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Gjithashtu, materialet hetimore janë referuar në Prokurori për:
Xh. L., 29 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka goditur me grushte një 63-vjeçar, për motive të dobëta;
F. A., 63 vjeç, dhe E. M., 65 vjeç, pasi ky i fundit kishte punësuar shtetasin F. A. për punime ndërtimi, pa leje, në banesën e tij.
Ndërkohë, në Pogradec është proceduar penalisht F. M., 38 vjeç, banues në fshatin Udënisht, i cili dyshohet se ka goditur me një send të fortë një 47-vjeçar, për motive të dobëta.
Në Devoll, është proceduar G. D., 37 vjeç, pasi nuk iu bind urdhrit të punonjësit të policisë për paraqitjen e dokumentacionit të mjetit.
Po ashtu, specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë proceduar penalisht M. X., 39 vjeçe, banuese në Korçë, pasi gjatë kontrollit në subjektin që administronte, u gjetën dhe sekuestruan disa paketime medikamentesh pa pullë fiskale, të dyshuara si të kontrabanduara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


