Sonte në Korçë çelet edicioni i radhës i Festivalit të Serenatave, një ngjarje që për tre netë me radhë do të mbushë rrugicat dhe sheshet e qytetit me tingujt e këngëve që njihen e duhen kudo në Shqipëri. Për shumë korçarë ky festival ka një emocion të veçantë, por për Benila Tërovën dhe motrën e saj, Mirelën, kujtimi lidhet ngushtë me figurën e babait të tyre, serenatistit të njohur Naum Tërova.
“Nuk e di si ju vinin ju prindërit në gjumë, por unë dhe Mirela nuk flinim pa të paktën gjysmë ore këngë që na i këndonte babi me kitarë çdo natë aty tek koka e krevatit. Edhe kur u rritëm, madje deri në ditët e tij të fundit, shtëpia jonë ishte çdo ditë e mbushur me tingujt e kitarës dhe zërin e tij të ëmbël”, shkruan Benila Tërova në një status të ndjerë kushtuar babait.
Naum Tërova ka qenë një nga figurat më të dashura të serenatave korçare. Ai ka nisur të këndonte që në rini në rrugicat e qytetit, nën dritare e ballkone, por edhe tek konviktet e studentëve në Tiranë, aty ku sipas të bijës “djemtë korçarë, sidomos ata të arteve, ishin ikona”.
Në kuadër të festivalit, sonte në Pazarin e Vjetër hapet një ekspozitë e veçantë në dyqanin e “Pllaton Bubuqit”, ku do të ekspozohen kitarat e vjetra të emrave të shquar të serenatave si Naum Tërova, Ilia Vinjau, Gjergji Peleshi, Furxhinjtë, Vangjush Tushi e të tjerë. “Ky është një nderim për të gjithë këta djem të shkëlqyer të Korçës që e ngritën serenatën e qosheve në art”, thekson Tërova.
Programi i festivalit do të vijojë të premten me një aktivitet në Liceun Artistik të Korçës dhe të shtunën në mbrëmje me koncertin e madh në sheshin e Pazarit të Vjetër. “Serenatat nuk janë thjesht këngë, janë një pjesë e shpirtit të Korçës, një nga ato pjesët që vazhdon të shkëlqejë njësoj”, shkruan Benila Tërova, duke shtuar se “pak serenatë ka në shpirtin, zemrën dhe kujtimet e çdo korçari”.
Festivali i Serenatave, tashmë një traditë e përvitshme, rikthen emocionet dhe krenarinë e një qyteti që e ka ruajtur këtë trashëgimi muzikore dhe që, siç e shprehin vetë korçarët, nuk do ta lërë kurrë të shuhet.