Alarm në qytetin e Korçës, ku tre fëmijë të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç janë paraqitur në gjendje të rëndë shëndetësore në shërbimin e pediatrisë të spitalit rajonal.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se fëmijët kanë konsumuar disa çamçakëzë të gjetur në një kazan plehrash, në lagjen nr. 6 të qytetit. Menjëherë pas konsumimit, ata kanë shfaqur simptoma të rënda dhe janë dërguar me urgjencë në spital nga familjarët.
Mjekët dyshojnë për helmim ushqimor dhe aktualisht fëmijët po marrin trajtimin e nevojshëm në repartin e urgjencës pediatrike. Burime mjekësore bëjnë me dije se gjendja e tyre është e rëndë, por nën monitorim të vazhdueshëm.
Ndërkohë, pritet që të kryhen ekzaminime më të specializuara për të përcaktuar saktësisht shkakun e helmimit dhe për të stabilizuar shëndetin e të miturve.


