Bylyre Jashari, e njohur si “Bilbili i Kolonjës” dhe “Mbretëresha e Valles së Kënduar”, është një prej artisteve më të shquara të trevave të jugut të vendit. Me një karrierë mbi 45-vjeçare, ajo ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e vlerave tona kulturore.
Që nga fëmijëria, Bylyre Jashari ka kënduar këngë polifonike dhe ka fituar shumë çmime në festivale folklorike. Sot, ajo njihet gjerësisht si ambasadore e traditës kolonjare, jo vetëm për interpretimin e këngës dhe vallëzimit popullor, por edhe për riprodhimin e kostumeve tradicionale të Kolonjës.
Së fundmi, për kontributin e saj të vyer, ajo u nderua me çmimin “Personalitet i Shquar i Qarkut”, duke theksuar rolin e saj të pazëvendësueshëm në promovimin e kulturës popullore burimore.


