Korçë – Policia e Korçës ka vijuar ndërhyrjet e saj gjatë ditëve të fundit, duke arrestuar persona në flagrancë dhe duke referuar raste të ndryshme penale në Prokurori.
Specialistët e Sektorit të Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 34 vjeç, banues në Lushnjë, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Ndërkohë, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. F., 24 vjeç, banues në fshatin Kakaç, pasi në lagjen nr. 4, Korçë, automjeti që drejtonte u përplas me motomjetin e shtetasit N. C., 26 vjeç. Nga aksidenti u dëmtua lehtë drejtuesi i motomjetit.
Po ashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për disa shtetas: P. D., 49 vjeç, i dyshuar se ka dëmtuar një kioskë në pronësi të një 57-vjeçari, dhe një 16-vjeçar, i cili dyshohet se ka goditur me shuplakë një 13-vjeçar për motive të dobëta.
Të gjitha materialet procedurale janë dërguar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.