Bashkia Korçë ka vijuar edhe këtë vit traditën e Buxhetimit me Pjesëmarrje, duke i bërë qytetarët pjesë aktive të vendimmarrjes në hartimin e buxhetit. Në takimin e organizuar në Rajonin 1, që përfshin lagjet 1, 2, 3, 10, 11 dhe 12 të qytetit, u diskutua për ecurinë e projekteve të realizuara deri më tani, si dhe për prioritetet e ardhshme.
Banorët dhe bizneset që operojnë në këtë zonë patën mundësinë të japin mendimet dhe propozimet e tyre lidhur me Buxhetin 2026, Paketën Fiskale dhe Projektbuxhetin Afatmesëm 2026–2028. Bashkia bëri të ditur se puna në këtë rajon do të vijojë me të njëjtin ritëm, duke u fokusuar tek projektet madhore dhe investimet në infrastrukturë e shërbime.
Ky proces synon rritjen e transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje, duke e kthyer fjalën e tyre në një instrument konkret për zhvillimin e qytetit.


