Kryetari i Bashkisë Pogradec zhvilloi një vizitë zyrtare në Kastoria, ku u prit nga homologu i tij, kryebashkiaku Giannis Korentsidis. Takimi u realizua si vazhdim i vizitës së mëparshme të kreut të Bashkisë Kastoria në Pogradec dhe kishte në qendër forcimin e marrëdhënieve ndërkufitare.
Gjatë bisedimeve, u diskutua mbi kornizën e bashkëpunimit mes dy bashkive, me fokus në zhvillimin e turizmit, sipërmarrjes, trashëgimisë kulturore, sportit dhe projekteve të përbashkëta me financim të huaj.
Vizita shërbeu për të rikonfirmuar vullnetin e dy bashkive për të ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm dhe për të hedhur bazat e nënshkrimit të një Marrëveshjeje Bashkëpunimi, e cila pritet të sjellë përfitime konkrete dhe të shumanshme për të dy qytetet.


