Në fshatin Kolanec ka filluar puna për asfaltimin e rrugës kryesore Kolanec–Maliq, një projekt i rëndësishëm që po zbatohet në fazën e parë. Ky investim vjen pas përfundimit të asfaltimit të rrugëve të brendshme të fshatit dhe përbën hapin e radhës të Bashkisë Maliq në përmirësimin e infrastrukturës lokale.
Projekti financohet me të ardhurat e veta të bashkisë dhe ka si qëllim jo vetëm lehtësimin e lëvizjes së banorëve, por edhe kthimin e Kolanecit në një atraksion turistik të vizitueshëm gjatë gjithë vitit. Rruga e re do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të zonës, duke krijuar kushte më të mira për turizmin, bujqësinë dhe tregtinë lokale.
Paralelisht me këtë ndërhyrje, Bashkia Maliq po vijon punën edhe në disa objekte të tjera brenda territorit të saj, duke synuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar në çdo fshat dhe lagje. Investimet në infrastrukturë mbeten një nga prioritetet kryesore, si mënyra më e sigurt për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për të rritur atraktivitetin e zonës.


