“Gjurmë Portash” është titulli që ka zgjedhur fotografeja Xhulia Pecani për ekspozitën e saj me 24 fotografi, ku pasqyrohen disa nga portat më të vjetra të shtëpive karakteristike të qytetit të Korçës.
Këto porta nuk janë thjesht elementë arkitekturorë, por mbartin historinë dhe identitetin e një qyteti që njihet për traditën dhe kulturën e tij të pasur. Përmes kësaj ekspozite, autorja jo vetëm që sjell një këndvështrim artistik, por edhe ngre një apel për institucionet që merren me restaurimet, që të kujdesen për ruajtjen e këtyre elementeve të çmuara të trashëgimisë.
Ekspozita e Pecanit është një kujtesë vizuale se porta nuk është vetëm hyrja e një shtëpie, por edhe një simbol i shpirtit të qytetit.


