Një masiv dheu ka rrëshqitur si pasojë e reshjeve të shiut paraditen e kësaj të enjte në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë në km e 39 të kësaj rruge.
Sipas inxhinerëve në vendngjarje rrëshqitja ka ndodhur në një skarpatë ku po punohej ende për vendosjen e rrjetave mbrojtëse e koshave dhe mureve me gabjona. Kjo skarpatë sipas tyre nuk kishte përfunduar ende me elemtët mbrojtës dhe puna po vijonte për vendosjen e rrjetave, ata shtojnë se kjo është skarpata e fundit ku po punohej, pasi gjithë skarpatat e tjera kanë përfunduar nga vendosja e elementëve mbrojtës.
Burimet thanë më tej se situata po monitorohet nga afër, është bërë vendosja e trafikndarësve në rrugë për të devijuar lëvizjen e mjeteve dhe do të pritet ndalimi i reshjeve për të vijuar punën në vendosjen e rrjetave dhe murit mbajtës me gabjona.
Nga rëshqitja e dheut fatmirësisht nuk janë shkaktuar dëme në mjete, numri i të cilave tashmë në këtë segment është i lartë, pasi lidhet direkt me Korçën e më tej me Kapshticën.
Pavarësisht rrëshqitjes, rruga vijon të jetë e hapur për mjetet, por kërkohet që drejtuesit të lëvizin me kujdes dhe shpejtësi të reduktuar për shkak të lagështirës.


