Ekipi i futbollit “Gramozi” në Ersekë është blerë nga një grup investitorësh italianë, duke hapur një faqe të re për sportin e qytetit. Njëri prej tyre, Gerardo Masucci, tha se projekti është ambicioz dhe synon të çojë klubin në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.
“Projekti për këtë skuadër është ta rrisim në resurse, investime dhe njerëz. Do të sjellim lojtarë të huaj dhe duam ta çojmë në kategorinë superiore. E sigurt deri tani është që Gramozi do të luajë një ndeshje bamirësie me Napolin dhe synojmë ta sjellim këtë skuadër të rëndësishme italiane në Ersekë,” u shpreh Masucci.
Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, e cilësoi këtë një mundësi të artë për Ersekën, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë ekonomik e turistik.
“E shoh si zhvillim ekonomik dhe të një investimi çka sporti sjell si kontribut, si shëndet. Gerardo ishte kërkim dhe vetëofrim për të parë një investim ku ekonomia, turizmi i sjelljes së ekipeve apo akademive është hap i parë. Do të ndërtojmë një hotel me të gjitha facilitetet dhe kushte stërvitore bashkëkohore, si dhe ngritjen e ekipeve të moshave,” tha ai.
Në muajin tetor pritet edhe vizita e presidentit të FSHF, i cili do të lajmërojë një investim të rëndësishëm për fushat sportive, në bashkëpunim me Bashkinë e Kolonjës, duke e kthyer Ersekën në një qendër të re të futbollit shqiptar.