Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit në fshatin Çërravë të Pogradecit, ku një stallë me bagëti është përfshirë nga flakët dhe është shkatërruar plotësisht.
Zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa më shumë se 170 dele janë djegur të gjalla. Pronari i stallës, Agjërim Kapa, e ka cilësuar dëmin si të jashtëzakonshëm, duke theksuar se humbjet janë të parikuperueshme.
Fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz, ndërsa policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Paraprakisht dyshohet se shkak mund të jetë një shkëndijë elektrike ose pakujdesi njerëzore.
Emergjencat Civile të Bashkisë Pogradec pritet të kryejnë vlerësimin e plotë të dëmeve dhe të ofrojnë ndihmën e nevojshme për familjen e prekur nga kjo fatkeqësi.


