Agjencitë më të mëdha turistike në vend pranojnë se deri më tani Pogradeci është trajtuar më shumë si një qytet tranzit dhe rrallëherë është përfshirë në paketat disa ditore të tyre. Për ta ndryshuar këtë fenomen, në qytetin liqenor u zhvillua një takim me përfaqësues të Unionit Turistik Shqiptar dhe agjencive turistike, ku u theksua rëndësia e përfshirjes së Pogradecit në ofertat e ardhshme turistike.
Drejtuesit e agjencive janë shprehur të gatshëm që duke filluar nga viti 2026, të përfshijnë Pogradecin në paketat e tyre disa ditore, me qëllim rritjen e netqëndrimeve të turistëve të huaj në qytet.
Sipas përfaqësuesve të Unionit të Bujtinave dhe Restoranteve Shqiptare, Pogradeci i ka të gjitha kapacitetet akomoduese dhe kulinarinë e nevojshme për të pritur turistë në qëndrime më të gjata, por deri më tani ka munguar vëmendja e duhur nga institucionet shtetërore për zhvillimin e këtij sektori.
Nga ana tjetër, Unioni Turistik Shqiptar parashikon që në vitin 2027 të shfrytëzojë aeroportin e Ohrit për të sjellë turistë të organizuar me charter drejt qytetit liqenor.
Vetëm për periudhën janar–gusht 2025, në Pogradec janë akomoduar 95,528 turistë, nga të cilët 18,314 janë të huaj – rreth 6 mijë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.


