Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në bllokun nr. 3 të qytetit të Maliqit, ku një zjarr ka përfshirë banesën e shtetasit V. A.
Sipas të dhënave paraprake, si pasojë e flakëve dhe asfiksisë ka humbur jetën në vend shtetasja M. A., ndërsa dy fëmijët e saj, të moshave 14 dhe 6 vjeç, janë dërguar me urgjencë në spital.
Më pas, burime zyrtare konfirmuan se edhe 14-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, ndërsa vajza e vogël 6-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet e zjarrfikëses dhe të Policisë, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe për dokumentimin e plotë të rastit.


