Drejtoria Vendore e Policisë Korçë bëri me dije se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë ndaluar shtetasin E. K., 34 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, pasi ndaj tij Gjykata e Korçës kishte dhënë vendimin e dënimit me 3 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të paregullt”.
Ndërkohë, në vijim të informacionit të bërë publik një ditë më parë, u bë i mundur kapja e shtetasit A. K., 36 vjeç, banues në Korçë, i cili ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për vjedhjen e një shume lekësh nga çanta e një shtetasi, në ambientet e një lokali.
Pasi u kap, ndaj tij ka nisur procedimi penal për veprën përkatëse, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


