Shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë kanë vënë në pranga një 35-vjeçar nga Bilishti, i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, gjatë kontrolleve intensive për parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe kapjen e personave në kërkim, efektivët e Kufirit të Gjelbër në fshatin Vërnik, Devoll, ndaluan shtetasin V. Sh., 35 vjeç, i cili po tentonte të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme.
Pas verifikimeve, u konstatua se për këtë shtetas ishte lëshuar urdhër ndalimi nga Prokuroria e Korçës, pasi dyshohet se më datë 04.10.2025 ka goditur disa herë me thikë gjyshin e tij, duke e lënë të plagosur rëndë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 35-vjeçari u arrestua dhe ndaj tij u referuan materialet në Prokurorinë e Korçës, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Policia Kufitare thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjithë zonën kufitare për të parandaluar krimet ndërkufitare dhe për të kapur personat që tentojnë t’i shmangen drejtësisë.


