Lajmi i ndarjes nga jeta të Fatos Nanos ka tronditur botën politike shqiptare. Reagimet kanë qenë të shumta, ndër të cilat edhe ai i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili me një status prekës në rrjete sociale i dha lamtumirën ish-kryeministrit dhe themeluesit të Partisë Socialiste.
“Para pak çastesh u nda nga jeta Fatos Nano, politikani që dominoi një epokë të tërë të jetës politike shqiptare, themeluesi dhe drejtuesi vizionar i Partisë Socialiste deri në vitin 2005”, shkruan Peleshi, duke nënvizuar rolin e tij si arkitekt i së majtës moderne.
Në kujtimin e tij personal, Peleshi tregon se Fatos Nano ishte njeriu që i hapi rrugën në politikë:
“Për mua personalisht, Fatos Nano mbetet figura që më hapi dyert e politikës, duke më besuar përgjegjësinë e parë publike, në atë kohë një ftesë ndaj një brezi të ri për të ndërtuar së bashku Shqipërinë që ne të gjithë e ëndërronim.”
Sipas Kreut të Kuvendit, kontributi i Nanos tejkalon çdo përvojë individuale, pasi ai mbetet “politikani modern që solli frymën e vërtetë europiane në mjedisin tonë publik… intelektuali që dinte të fliste gjuhën e ideve, liberali që besonte te liria individuale dhe zhvillimi ekonomik, europianisti i bindur që e shihte të ardhmen e Shqipërisë vetëm në familjen e madhe europiane.”
Duke e cilësuar si arkitektin e transformimit historik të së majtës shqiptare, Peleshi thekson se Nano kishte “guximin të thyente dogmat, vizionin për të parë përtej krizave të çastit dhe forcën për të ndërtuar një lëvizje politike që mund të qeveriste dhe të modernizonte vendin.”
“Historia do ta gjykojë me drejtësi kontributin e tij. Ne që patëm privilegjin ta njohim, ta dëgjojmë dhe të punojmë pranë tij, e dimë se Shqipëria humbi sot një nga figurat më të mëdha të politikës së saj postkomuniste. I paharruar, Fatos Nano!” – përfundon Peleshi.


