Një paraqitje mbresëlënëse dhe një fitore spektakolare për ekipin e meshkujve të Skënderbeut, të drejtuar nga trajneri Arben Prifti, në ndeshjen hapëse të Grupit A të Kupës së Shqipërisë. Korçarët triumfuan ndaj Studentit me rezultatin 3-1, duke dhënë një sinjal të qartë për ambiciet në këtë kompeticion.
Setet folën në favor të Skënderbeut: 25-22, 25-17, 20-25 dhe 25-23, në një përballje me rivalitet të fortë në të katër setet. Përpos një momenti rimëkëmbjeje të Studentit në setin e tretë, djemtë kuqebardhë mbajtën kontrollin e lojës dhe mbyllën sfidën me stil.
Edhe vajzat triumfojnë
Sukseset për volejbollin korçar u dyfishuan, pasi edhe ekipi i femrave i drejtuar nga trajneri Olsi Haxhillari regjistroi fitore me të njëjtin rezultat, 3-1, ndaj Partizanit, në ndeshjen e zhvilluar në Korçë.
Një start perfekt për të dy ekipet e Skënderbeut, që hyjnë në Kupë me besim dhe ritëm të lartë gare.


