Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë ka finalizuar një tjetër rast të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë kontrolleve të imtësishme të zhvilluara në bazë të analizës së riskut, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, policia ka konstatuar në dalje të territorit shqiptar, në një kamion të drejtuar nga shtetasi malazez Nj. J., 52 vjeç, banues në Malin e Zi, tetë emigrantë nga vendet e Afrikës, të cilët ishin fshehur në mjet me qëllim kalimin ilegal të kufirit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, ku nisi procedimi penal ndaj 52-vjeçarit për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ndërkohë, një tjetër rast u evidentua në zonën e Qafë Thanës, ku shërbimet e DVKM Korçë proceduan penalisht shtetasin K. K., 36 vjeç, banues në Prrenjas, pasi dyshohet se ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror drejt Maqedonisë së Veriut.
Materialet procedurale për të dy rastet janë referuar në Prokurorinë e Korçës, për veprime të mëtejshme ligjore.


