Qarku i Korçës iu bashkua nismës kombëtare “Mbrojtja Civile në Turne 2025”, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Institucioni i Prefektit të Qarkut Korçë, me mbështetjen e projektit RESEAL nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNDP).
Në kuadër të stërvitjes ndërinstitucionale “Sizmika 2025”, u zhvillua një ushtrim i gjerë simulimi, ku morën pjesë strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile në nivel qarku dhe vendor. Pjesëmarrës në këtë stërvitje ishin Policia e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Forcat e Armatosura, Autoriteti Rrugor Shqiptar, OSHEE, shërbimi i urgjencës spitalore, si dhe vullnetarë të Kryqit të Kuq Shqiptar.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu nxënës të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, të cilët u përfshinë në simulimin e situatave emergjente.
Ky ushtrim kishte si synim testimin dhe përmirësimin e reagimit institucional dhe komunitar në rastet e fatkeqësive natyrore, veçanërisht tërmeteve, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet strukturave përgjegjëse dhe rritur ndërgjegjësimin qytetar për sjelljet e duhura në situata emergjente.
Aktivitetet e fushatës do të vijojnë edhe këtë të premte, me një grumbullim prezantues në pedonalen e qytetit të Korçës dhe një ushtrim evakuimi në shkollën 9-vjeçare “Stavri Themeli”.


