Për të shtatin vit me radhë, në Kolonjë është mbajtur “Kolonia e Piktorëve të Vegjël”, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë, ku fëmijët e pasionuar pas artit hedhin në telajo peizazhet dhe bukuritë më karakteristike të kësaj zone.
Këtë vit, 23 fëmijë të grupmoshave të ndryshme, nga qytete të ndryshme të qarkut të Korçës, kanë pikturuar në Ersekë, Rehovë, Borovë, Shelegur dhe Leskovik, duke sjellë nëpërmjet ngjyrave magjinë e natyrës dhe trashëgimisë kolonjare.
Punimet e tyre do të ekspozohen në qendër të qytetit të Ersekës, në një ekspozitë të hapur për publikun, duke e bërë këtë koloni të vetmen të këtij lloji në vend, e dedikuar posaçërisht fëmijëve.
Fëmijët ndanë emocionet e tyre për këtë përvojë:
“Për mua është hera e dytë që marr pjesë. Më pëlqen shumë të pikturoj dhe të njoh miq të rinj. Këtë vit po pikturoj malin dhe pemët përballë. Dua të bëhem arkitekte,” – rrëfen një nga pjesëmarrëset.
“Kam tre vite që pikturoj, por është hera e parë që marr pjesë në këtë koloni. Po pikturoj bredhin dhe natyrën përreth, më pëlqen shumë peizazhi,” – shton një tjetër pjesëmarrëse 14-vjeçare.
Një nga mësuesit e pikturës, Berti Çaushi, theksoi rëndësinë që ky aktivitet ka për zhvillimin artistik të fëmijëve:
“Ky është edicioni i shtatë me 23 fëmijë pjesëmarrës nga i gjithë qarku. Punojnë kryesisht me akuarel në peizazh dhe vizatim. Kemi krijuar edhe një fond për hapjen e një galerie për piktorët e vegjël, diçka unike që do t’i japë më shumë vlerë qytetit tonë.”
Ky aktivitet pason “Vjeshtën e Artë të Kolonjës”, ku 45 piktorë profesionistë nga trojet shqipfolëse sollën në telajo peizazhet dhe traditat e zonës, duke e bërë Kolonjën një qendër të gjallë të artit dhe kulturës në juglindje të vendit.


