Qarku i Korçës u bë vendi i stërvitjes funksionale “Sizmika 2025”, e organizuar në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Qëllimi i aktivitetit ishte forcimi i kapaciteteve të strukturave vendore për reagim ndaj fatkeqësive natyrore, sidomos në rast të tërmeteve.
Gjatë stërvitjes u testua funksionimi i Komisionit të Mbrojtjes Civile në bashki dhe mënyra e koordinimit me institucionet e tjera, për të siguruar përballimin e situatave emergjente dhe kthimin në normalitet të jetës së qytetarëve të prekur.
Në skenarin e simuluar u zhvillua evakuimi i dy shkollave në qytetin e Korçës: Gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe Shkollës 9-vjeçare “Stavri Themeli”, duke u fokusuar në sigurinë e nxënësve dhe menaxhimin efektiv të situatës.
Stërvitja “Sizmika 2025” përfaqëson një hap të rëndësishëm për përmirësimin e Planit Vendor të Emergjencave Civile dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave vendore e qendrore në mbrojtje të qytetarëve.


