Policia e Korçës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Mashtrimi”, duke vënë në pranga një 28-vjeçar që prej disa javësh ishte në kërkim, pasi akuzohej për mashtrime ndaj disa qytetarëve dhe një rast vjedhjeje në një restorant të qytetit.
Sipas burimeve zyrtare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, kanë organizuar një operacion të mirëkoordinuar, pas informacioneve operative mbi vendndodhjen e të kërkuarit.
Në përfundim të veprimeve, uniformat blu lokalizuan dhe arrestuan shtetasin J. M., 28 vjeç, banues në Korçë, i cili fshihej në një banesë të braktisur në lagjen nr. 4.
Hetimet tregojnë se 28-vjeçari, më datë 21 tetor 2025, kishte mashtruar gjashtë qytetarë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash, me premtime të rreme dhe lidhje të ngushta familjare e shoqërore me viktimat.
Ndërkohë, më 8 nëntor 2025, ai kishte hyrë në një restorant në lagjen nr. 7 të Korçës, ku kishte vjedhur 70 mijë lekë nga kasa, përpara se të largohej pa lënë gjurmë.
Pas disa ditësh kërkimesh, policia arriti ta lokalizojë dhe ta kapë në fshehjen e tij, duke i dhënë fund ndjekjes.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për vijimin e procedurave ligjore.


