Bashkia Korçë ka intensifikuar punën në kuadër të projektit “Përmirësimi i banesave ekzistuese për komunitete të varfra dhe të pafavorizuara”, një nismë e cila synon të përmirësojë ndjeshëm jetesën e familjeve me më pak mundësi ekonomike në qytet.
Sipas bashkisë, aktualisht po kryhen ndërhyrje të shumanshme në banesat e përfshira në projekt, duke përfshirë rikonstruksionin e çative dhe hidroizolimin e tarracave, suvatimin dhe lyerjen e ambienteve të brendshme, si edhe zëvendësimin e dyerve dhe dritareve ku është e nevojshme. Po ashtu, një pjesë e rëndësishme e punimeve lidhet me përmirësimin e nyjeve hidro-sanitare, për të garantuar kushte më të sigurta dhe funksionale për familjet përfituese.
Ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm në politikat sociale të Bashkisë Korçë, duke synuar jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës së banesave, por edhe rritjen e cilësisë së jetës për familjet më të brishta të komunitetit. Nisma është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të bashkisë për të ndërtuar një mjedis më gjithëpërfshirës dhe me standarde më të mira të jetesës.


