Në Galerinë e Arteve Pogradec u çel zyrtarisht ekspozita e Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit, një aktivitet që ka mbledhur rreth 30 artistë nga vende të ndryshme të botës, mes tyre India, Turqia, Italia, Greqia, Kosova, Shqipëria, Brazili, Malajzia, Bangladeshi, Meksika, Bullgaria, Spanja, Portugalia, Korea, Lituania, Vietnami, Singapori dhe shumë të tjera.
Artistët pjesëmarrës u shprehën të impresionuar nga mikpritja karakteristike e pogradecarëve, nga peizazhi përrallor i qytetit dhe qetësia që ofron liqeni, elemente që, sipas tyre, e bëjnë Pogradecin një vend ideal për krijimtarinë artistike. Shumë prej tyre shpresojnë që ky festival të kthehet në një traditë të përvitshme.
Publiku është i ftuar të vizitojë Galerinë e Arteve dhe të përjetojë atmosferën unike që sjell kjo ekspozitë ndërkombëtare.


