Bashkia Korçë ka vijuar investimet në zonat rurale, duke përmirësuar infrastrukturën në fshatin Melçan. Rruga që të çon drejt Teqesë së Melçanit po pajiset me ndriçues të rinj, një ndërhyrje që synon të rrisë sigurinë dhe lehtësinë e qarkullimit për banorët dhe për vizitorët e shumtë që frekuentojnë këtë zonë.
Punimet për vendosjen e ndriçimit publik pritet të krijojnë kushte më të mira lëvizjeje, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, duke minimizuar rreziqet në një segment që përdoret si nga komuniteti lokal, ashtu edhe nga pelegrinë e turistë.
Teqeja e Melçanit, një objekt kulti me rëndësi të veçantë shpirtërore dhe një destinacion i njohur kulturor e turistik, tërheq vizitorë nga e gjithë Shqipëria. Ndriçimi i rrugës drejt saj konsiderohet një investim i rëndësishëm që rrit aksesin, sigurinë dhe komoditetin për të gjithë ata që e vizitojnë.
Bashkia Korçë njofton se projektet për përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale do të vijojnë, me synim rritjen e standardit të jetesës dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit lokal.


