Korça po përgatitet të mirëpresë festat e fundvitit me një fluks të jashtëzakonshëm turistësh. Operatorët e sektorit të hoteleri–turizmit bëjnë të ditur se kërkesat për rezervime kanë nisur që në muajin tetor dhe janë mbyllur brenda një kohe të shkurtër, për shkak të interesit të lartë për juglindjen.
Sipas një prej operatorëve turistikë:
“Ne i kemi mbyllur gjithë rezervimet e fundvitit, duke filluar nga festat e Nëntorit po ashtu edhe për Vitin e Ri e Krishtlindjet. I gjithë hoteli, me kapacitet prej 35 dhomash, është i rezervuar. Pjesa më e madhe janë turistë vendas, por ka edhe të huaj.”
Ndërsa një tjetër operator shprehet:
“Datat festive po afrojnë dhe kërkesat kanë qenë të larta nga turistët vendas dhe nga rajoni. Rezervimet kanë nisur prej muajit tetor dhe muaji nëntor ka pasur interes shumë të lartë. Këto data janë të ezauruara për ne, mirëpresim të gjithë turistët. Pjesa më e madhe është nga tregu vendas, por nuk mungojnë as turistët e huaj.”
Për t’i ardhur në ndihmë atmosferës festive, Bashkia Korçë ka përgatitur një kalendar të pasur aktivitetesh, që do të shtrihen në pedonale, Pazarin e Vjetër dhe fshatrat turistikë të Voskopojës, Dardhës dhe Boboshticës. Koncerte, ngjarje kulturore dhe evente të ndryshme do t’i japin qytetit një gjallëri të veçantë përgjatë gjithë fundvitit.


