Eksperti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Avenir Peka, ka deklaruar se kriza politike në Kosovë po vijon për shkak të kalkulimeve të partive politike, të cilat sipas tij nuk po vendosin në plan të parë interesin e vendit. Sipas analizës së tij, ky ngërç i përsëritur rrezikon ta mbajë vendin në një bllokim të vazhdueshëm institucional.
Sipas Pekës, Kosova po përballet me kriza të përsëritura politike prej rreth dy vitesh dhe përsëritja e zgjedhjeve mund të prodhojë sërish të njëjtin bllokim për shkak të mekanizmit ekzistues kushtetues. Ai shpjegoi se për konstituimin e parlamentit për zgjedhjen e presidentit nevojitet një kuorum prej 80 votash, ndërsa për votimin e tij mjafton një numër prej mbi 61 votash e sipër.
Kalkulimet politike dhe roli i Albin Kurtit
Eksperti theksoi se asnjë nga partitë nuk po mendon për shtetin, por për llogaritë e veta politike, duke përfshirë këtu edhe kryeministrin Albin Kurti. Megjithatë, ai sqaroi se Kurti nuk ka nevojë të sigurojë 80 mandate për të qeverisur, pasi për formimin e një shumice parlamentare mjafton që një parti apo koalicion të sigurojë mbi 50 për qind ose 51 për qind të votave.
Përgjegjësia e opozitës dhe deputetëve të LDK-së
Peka argumentoi se këtë herë përgjegjësia për ngërçin bie mbi partitë opozitare, duke marrë si shembull qëndrimin e disa deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai u shpreh: “Këtë herë ia lë partive opozitare, sepse mund të kesh çfarë të duash, dhe unë kam 1,000 vërejtje për Albinin , mund të kesh çfarë të duash vërejtje, por kur dy parti kryesore ulen me njëra-tjetrën dhe bien dakord për një president konsensual që është apartiak, që shkon përtej partive Nëse gjashtë deputetë të LDK-së thonë që ne nuk pranojmë asnjë lloj kompromisi apo bashkëpunimi me Kurtin, ku është faji i Kurtit këtu? Faji i Kurtit është se është fituesi? Nëse dy partitë e tjera thonë që ne nuk bashkëpunojmë me Kurtin, ku është faji i Kurtit këtu?”
Sipas ekspertit, lideri i Vetëvendosjes do të mbante përgjegjësi vetëm nëse opozita do të kishte paraqitur një platformë parimore për bashkëpunim. “Kurti do kishte faj nëse këta që kundërshtojnë bashkëpunimin do të kishin vendosur një platformë parimore ku thoshin që “ne e mbështesim një kandidaturë për president nëse, pa shkuar te emrat, nëse përdoren këto parime apo nëse plotësohen një sërë kërkesash politike”, përfundoi Avenir Peka.


